Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, i cili u përfshi në incidentin e së enjtes në Kuvendi e Kosovës, i ka thënë Gazetës Online Insajderi se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e provokuan situatën teksa ata të PDK-së ishin duke dalur jashtë.
Shkak i përplasjes fizike dhe verbale ishte bërë një fjalim i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Beqa tha se kryediplomatja, Donika Gërvalla, nuk ka ndryshuar qëndrimin e vitit 2015 që e kishte në raport me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Në si grup parlamentar në shenjë proteste vendosem me lëshuar sallën nga sjellja e ministres së jashtme. Gjatë rrugës deputetët tonë u provokuan dhe u fyen nga ministrat dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Unë isha njëri nga deputet që isha duke dalur për ta respektuar vendimin e grupit parlamentar”, tha Beqa.
Personi që sipas tij “provokoi” ishte deputeti Besim Muzaqi nga Lëvizja Vetëvendosje. Madje, Beqa theksoi se mendoi që ishte “ndonjë roje ministri”.
“Deputetin Besim Muzaqi e pash duke u shtyrë me deputet tanë dhe duke i fyer duke ju thënë dilni jashtë. Unë mendova që është ndonjë roje e ndonjë ministri dhe ka hyrë në sallën e Kuvendit ai filloj të më fyer edhe mua dhe tentoi të më sulmojë fizikisht”.
Por, deputeti PDK-së theksoi se nuk ka asgjë personale me Muzaqin.
“Unë në atë moment i thash se Hajdar Beqa nuk e sulmon askënd fizikisht dhe nuk lejon të shumohet nga askush fizikisht, kjo ka qenë e tëra nuk kemi pas asgjë personale” tha ai.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, ka thënë se PDK ka mbetur pa kauzë – për ta akuzuar rreth asaj që ndodhi sot në Kuvend.
“Një opozitë si kjo, pa kauzë e pa ide! Një pdk që në mungesë të argumentit vjell vrer e ofendon secilin. Mos u turrni me yrysh e me gjuhë analfabetësh funksional sepse as nuk ua kemi frikën as respektin”, ka shkruar deputeti Vetëvendosjes.
Kuvendi i Kosovës gjatë seancës plenare erdhi deri te situata kur deputetët u fyen dhe u përleshen mes veti.
Donika Gërvallës të cilës po i kërkohet dorëheqja nga Partia Demokratike e Kosovës, akuzoi këtë parti për votimin e Gjykatës Speciale.
Më pas pasoi reagimi i shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, duke thënë se “Serbia tash e ka Donikën”.
Pas incidentit, tri partitë mbajtën konferenca veç e veç.
PDK e LVV akuzuan njëra tjetrën, ndërsa LDK theksoi se ata nuk janë pjesë e konfliktit.
Por, partia e cila drejtohet nga Lumir Abdixhiku ka ankesa për mënyrën sesi po drejtohen seancat e Kuvendit. /Insajderi.com