Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se deklarata e saj për reciprocitetin është keqinterpretuar, njofton Insajderi.
Të martën në një konferencë të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, Hajdari ka thënë se “nuk është që t’i vendosin menjëherë reciprocitet Serbisë”.
“Aktualisht po i finalizojmë analizat e gjendjes së raportit tregtar, para se të veprojmë. Tani kemi edhe drejtor të ri të doganave dhe meqë shumë prej barrierave të Serbisë nuk janë sistemike por sporadike, ne na duhet t’i përgatisim mirë zyrtarët tanë doganorë për ta zbatuar reciprocitetin”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ministrja vazhdon të besojë se reciprociteti “është parim i shëndoshë i raporteve normale midis shteteve”.
“Ne nuk e kemi reciprocitetin si armë hakmarrjeje, por si parim që del nga koncepti i barazisë. Do ta vendosim reciprocitetin, jo për të ngritur barriera, por për t’i hequr ato. Dhe për t’i mbrojtur qytetarët nga shkelja e dinjitetit dhe e të drejtave”, tha ndër tjerash. /Insajderi.com