Hajdari: Kosova në CEFTA duhet të përfaqësohet si shtet

Hajdari: Kosova në CEFTA duhet të përfaqësohet si shtet

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se më 24 shtator kanë shtruar kërkesë për ndryshim të përfaqësimit të Kosovës si shtet në CEFTA dhe jo nën administrimin e UNMIK-ut, përcjell Insajderi.com.

Ajo tregoi se janë duke pritur përgjigje nga kryesuri i Komitetit i cili është Kreshnik Bekteshi, nga Maqedonia e Veriut dhe shtoi se po pret lajme të mira.

Hajdari, teksa foli për problemet e shumta që nxjerr Serbia për prodhuesit e Kosovës, tha se Qeveria po i shqyrton të gjitha një nga një dhe se do t’u japë zgjidhje.

“Po presim përgjigje, kam pasur komunikim të vazhdueshëm me ministrin Bekteshi, ai do të thërrasë një takim së shpejti. Në takimet e CEFTA-s gjithmonë Serbia e Moldavia janë kundër, e shpesh edhe Bosnja”.

“Nëse këto janë kundër, sidomos Serbia e Moldavia nuk mund të ketë vendim me konsensus. Atëherë, nëse nuk do të ketë konsensus për Kosovën, as Kosova nuk do të bëjë konsensusin për vendimet e CEFTA-s që shkojnë në favor të Serbisë e Moldavisë”, ka thënë Hajdari në KTV.

Sipas saj, CEFTA nuk e ka kryer punën për të cilën është krijuar pasi që nuk janë eliminuar barrierat tregtare mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Nëse kërkesa jonë nuk adresohet, nuk kemi arsye të përkrahim vendimet e CEFTA-s”, deklaroi ajo./Insajderi.com