Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa ndaj disa produkteve që importohen nga Serbia në territorin e Kosovës.
Sipas saj, këtë vit ka rritje të importit nga Serbia, ndaj ka thënë se janë duke u dëmtuar prodhuesit vendorë.
Këto deklarata Hajdari i ka bërë të enjten në një konferencë për media, ku ka folur rreth zhvillimeve dhe aktiviteteve të fundit të ndërmarra nga MIN- për mbrojtjen e tregut vendor, në veçanti të prodhuesve vendorë nga importet.
“Produktet e importuara në territorin e Kosovës kanë rritje enorme dhe po i dëmton prodhuesit vendor. Si përfundim sipas departamentit të tregtisë, tregohet se ka rritje të importit nga Serbia për dallim nga viti i kaluar. Eksporti i Kosovës është vetëm 1% në vitin 2020 dhe tash 2021”.
“Ne do të marrim masa ndaj produkteve konditorike siç janë biskotat dhe ëmbëlsirat që prodhohen nga Serbia sepse këto produkte kanë pasur rritje enorme të importit. Ne do t’i shikojmë evidencat e pastaj do të vendosim për masat”, ka thënë ajo.
Rreth një muaj më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se synojnë që të ulin importet nga Serbia, duke thënë se “kemi strategji të qartë të marrëdhënieve tona tregtare në të ardhmen”.
Këtë deklaratë shefi i qeverisë e kishte bërë në foltoren e Kuvendit të Kosovës, derisa ishtepyetur nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për rritjen e importeve nga Serbia krahasuar me vitin 2019 e 2020.
Kësaj pyetje Kurti i ishte përgjigjur duke thënë se nëse duhet bërë krahasim, atëherë duhet bërë me gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, kur në krye të Qeverisë ishte Haradinaj.
Sipas tij, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 janë importuar 212.1 milionë euro mallra nga Serbia, apo 60 për qind më shumë se vlera e importeve në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
“Krahas kësaj ulje të ndjeshme të importeve nga Serbia, unë pajtohem se duhet ulur më shumë e synojmë ulje të mëtejme përmes masave që do të marrim. Kemi strategji të qartë të marrëdhënieve tona tregtare në të ardhmen, e duhet të keni durim e besim. Nuk jemi në vitin e fundit të mandatit, por në muajin e shtatë të tij”, ishte shprehur kreu i ekzekutivit./Insajderi.com