Hajnat qejfli, vjedhin stoli dhe hanë mish në një shtëpi në Shtime

Hajnat qejfli, vjedhin stoli dhe hanë mish në një shtëpi në Shtime

Për herë të tretë brenda pak viteve, hajnat kanë hyrë në shtëpinë e Xhevat Fazliut në Shtime për të vjedhur stoli të arit.

“Në tona anët u ba hallakamë, po është bërë më shumë. I kanë thyer dyert me … siç ka thënë edhe policia. Kanë hyrë për stoli të arit, si edhe kanë vjedhë në fillim, përsëri për herë të tretë që kanë hy me plaçkitë, qëllimi është tek stolitë e arit”, tregon një familjar.

Ende nuk dihet saktë se çfarë është marrë nga ata, pasi që kjo familje jeton jashtë vendit dhe tani pronari është rrugës për në Kosovë, raporton Klan Kosova.

“Djali i axhës është duke ardhur nga Zvicra, ai ka thënë që e di se çfarë ka pasur, dhe do të japë informacion më të saktë”, thotë familjari.

Për të hyrë në shtëpi hajnat thyen dyer e dritare, madje demoluan edhe kamerat e sigurisë, përcjell Insajderi.

“E kanë hapur këtë role, po shihen gjurmët këtu. Pastaj e kanë hapur dritaren dhe kanë hyrë brenda. Kur kanë hyrë brenda dera e dyqaneve ka qenë e blinduar, dhe e kanë thyer edhe atë dhe janë ngjitur në katin e dytë”, thotë një familjar tjetër.

Por, pos që kanë vjedhur stolitë e arit dhe demolimit, hajnat kanë gjetur kohë të bëjnë edhe pak qejf në shtëpi duke ngrënë mish.

“E kanë marrë mishin në frigorifer, dhe kanë ardhur te kjo tavolina këtu. Dhe e kanë marrë mishin ja ku e kanë lënë këtu, e kanë ngrënë”, dhe më pas kanë dalë. Kështu që kanë pushuar pak”, tregon familjari.

Për rastin menjëherë u lajmërua policia.

“Këta të hetuesit i kemi thirrur në orën 11, dhe kanë ardhur tani në orën 4”, tregon ai.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, kanë konfirmuar që kjo shtëpi është plaçkitur tani për herë të tretë. Ai ka thënë që pas marrjes së të dhënave nga hetuesit në terren, do të punojnë në kapjen e keqbërësve.