Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka thënë që Kosova dhe Serbia nuk do të duhej të trajtoheshin si të barabartë në takimin e Uashingtonit, njofton Insajderi.
Ceku fillimisht në Klan Kosova ka theksuar se pala kosovare ka shkuar e papërgatitur atje.
“Ndërkohë, po përflitet mundësia edhe e marrëveshjeve të tjera, nëse krijohet klima e mirëbesimit përmes marrëveshjeve ekonomike. Ajo në fund pritet të vijë në Kuvend, për ratifikim nëse do të ketë marrëveshje ndërkombëtare, ndërkohë ne nuk kemi dëgjuar asgjë në raport me këto tema politike të elaborohet dhe të diskutohet paraprakisht dhe të shkojmë të përgatitur atje”.
Kosova, sipas Çekut “do të duhej të ishte më e privilegjuar ndaj Serbisë për shkak të kaluarës, ku njëra palë ishte viktimë e tjera agresori”.
“Kosova duhet të kishte një pozicion shumë më të privilegjuar, për fat të keq, në raport me Serbinë për shkak të kaluarës. E kaluara jonë, është e kaluar e gjenocidit të cilin Serbia e ka ushtruar në Kosovë. Çfarëdo raporti që shpesh quhet normalizim i raporteve, duhet fillimisht ta ketë diskutimin për faturën e luftës, për viktimat civile, për përdhunimet, për të pagjeturit që ende vazhdojnë të jenë në vendet të cilat i di Serbia, për dëmin ekonomik dhe shumë dëme tjera që na ka shkaktuar Serbia”.
“Bojkoti i Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës, ose çfarëdo përpjekje për ta zhvilluar këtë vend është i vazhdueshëm. Ne nuk do të duhej të ishim në parim të barabartë, do të duhej të ishim shumë më të privilegjuar në raport me Serbinë, por kjo nuk ndodh, ne nuk jemi as të barabartë”, ka thënë Çeku./Insajderi.com