Haki Abazi e quan LDK-në pakurrizor: Të etur për pushtet

Haki Abazi e quan LDK-në pakurrizor: Të etur për pushtet

Haki Abazi, zëvendëskryeministri i Qeverisë në largim, e ka quajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), të pakurrizor dhe të etur për pushtet. Derisa ka kërkuar nga LDK-ja të distancohen nga deklaratat e presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

“Ç”do parti do të duhej të distancohet nga deklarata që bëri Thaçi. Sidomos LDK! Fjalori i papërgjegjshëm, kërcënues dhe aspak presidencial e bën edhe me jokushtetues se ç’është”, ka shkruar Abazi në një postim të tij në Facebook.

Tutje i dyti i qeverisë ka vazhduar akuzat ndaj LDK-së duke thënë se “Nga fjalimet se nuk do t’i prisnim me çaj protestuesit deri tek veprimet e nëndheshme, duke interferuar me deputetët dhe vullnetin e tyre, sidomos të atyre që përfaqësojnë pakicat, për të mos votuar qeverinë Kurti…”.

“Është e tmerrshme të mendohet që LDK i mban “zhagun” Thaçit, përderisa përjashton të vetët . Është edhe më e tmerrshme kur përjeton heshtjen e atyre që kanë prindërit e vrarë në periudhën e pasluftës dhe vetem për fushatë i përdorin, sikur të ishin vetëm poster reklame që përdhoset sapo të përfundojë fushata. Kaq jonjerëzor e pakurrizor të bën etja për pushteti!”, ka shkruar Abazi. /Insajderi.com