Haki Abazi pas mesnatës akuzon LDK-në për ngjashmëri me Rusinë, aktivisti i VV-së: Mos e fëlliqni gojën, hupni vota

Haki Abazi pas mesnatës akuzon LDK-në për ngjashmëri me Rusinë, aktivisti i VV-së: Mos e fëlliqni gojën, hupni vota

Zëvendëskryeministri i dytë i Qeverisë në detyrë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, mbrëmë pas mesnatës ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës – njëherësh edhe ish-partnerin qeverisës të partisë së tij, për ngjashmëri me Rusinë, shkruan Gazeta Insajderi.

Ai, përmes një postimi të një shkrimi në gjuhën ruse në Facebook, ka treguar se Rusia po kërkon heqjen e reciprocitetit me Serbinë të vendosur nga Qeveria Kurti. Në këtë rrafsh Abazi, ka krahasuar Rusinë me LDK-në, teksa ka thënë se me këtë arsyetim dhe kërkesë është ngritur mocioni i mosbesimit.

“Rusia kërkon heqjen e reciprocitetit me Serbinë nga ana e Kosovës, të vendosur nga qeveria jonë. Me këtë arsyetim dhe kërkesë është ngritur mocioni i mosbesimit”, ka shkruar Abazi, mbi linkun e shkrimit.

Por, në këtë akuzë duket se kundër i kanë dalë vetë aktivistët e partisë së tij VV.

Në një koment të shkruar nga një aktivist i VV-së, i kërkohet Abazit dhe Qeverisë në detyrë që të vazhdojnë punën duke mos u marr më me mocion. Ai po ashtu i thotë se kështu do të humbin vota nga populli.

“Krahi bothes kqyr perpara leje tasht mocioni sene,ajo pun ka kalu mos e flliqni gojen me hup vota te populli. Krejt pe dim qe ata fajtor”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se Qeveria Kurti, u rrëzua me një mocion mosbesimi nga partneri i tyre qeverisës LDK  më 25 mars. / Insajderi.com