Haki Abazi përplaset me Fitore Pacollin, mbron Xhavit Halitin e PDK-së

Haki Abazi përplaset me Fitore Pacollin, mbron Xhavit Halitin e PDK-së

Në Komisionin për Punë të Jashtme janë përplasur verbalisht deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe Haki Abazi.

Shkak i përplasjes doli të jetë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti i cili insistonte që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla të përgjigjej në pyetjet që i parashtroi ai, raporton Shqip.com.

Kryetarja e këtij komisioni, Fitore Pacolli ia tërhoqi vërejtjen që siç tha ajo, të diskutojnë për çështje profesionale.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli.

“Ne detyrohemi me e lëshu sallën dhe me e lanë pa kuorum. Kështu që të lutem, e tërheq vërejtjen sepse janë çështje profesionale që ne duhet t’i adresojmë këtu. Është politika e jashtme, është puna e ministres që po raporton e jo çështje personale të juaja”, deklaroi Pacolli.

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga deputetii VV-së, Haki Abazi.

Haki Abazi i VV-së

Ai i tha Pacollit se është e drejtë e deputetëve që të parashtrojnë pyetjet që duan pavarësisht përgjigjeve të ministres.

“Veç pak, veç pak. Ne edhe në të kaluarën kemi pasur tentime për ballafaqim, por është e drejta e secilit këtu me shpreh opinionin e vet. Mendoj që demokraci parlamentare. Z.Haliti i ka mendimet e veta. Është deputet i Parlamentit. Mundemi me gjetë rastin dhe me ju përgjigj për ato që janë për t’u përgjigjur këtu, edhe në seancë të mbyllur. Është në diskrecionin e një deputeti të ketë shtruar çështja që mund të jenë çështje e brengosjes së tij apo të saj, ose edhe të anëtarësisë. Kështu që kërkojë mirëkuptim për punën e adresimit prej zonjës Pacolli, znj. Time Kadrijaj që e kërkoi fjalën”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti

Haki Abazi ka munguar në dy seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës, e kjo si shkak i ftohjes së raporteve me partinë e tij.

Deputeti i VV-së, përmes një postimi në Facebook, pati shkruar se është hera e parë që mungon në seancën e Kuvendit ndërsa ju ka kërkuar falje qytetarëve.

Më tej ai ka thënë se “ka një sërë faktorë që më ka shtyrë të bëjë këtë veprim dhe në këtë kohë. Të gjitha i kam transmetuar tek lidershipi dhe pres që të adresohen me kujdes dhe në kohë”, ka shkruar ai./Insajderi.com