Haki Rugova dënohet me një vit burgim

Haki Rugova dënohet me një vit burgim

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, është dënuar me një vit burgim efektiv pasi po akuzohej për konflikt interesi nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, transmeton Insajderi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharaxhiu, Rugovës i është shqiptuar edhe dënimi plotësues dhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej një viti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 mars 2018, nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes të Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289,119.85 euro.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova i ka mundësuar interes financiar vëllait të tij, Gani Rugovës, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit. /Insajderi.com