
Ish-kryetari i Istogut, Haki Rugova është liruar nga aktakuzat.
Kështu ka vendosur Gjykata e Apelit, të martën.
Ka qenë i dënuar prej një viti burg efektiv mbi akuzën për dhënien e një tenderi.
Madje, dyshohej se atë tender ia kishte dhëne vëllait të tij.

Gjykata e Apelit.
Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton Gjykata e Apelit ka gjetur se në veprimet e Rugovës nuk kishte dashje për kryerjen e veprës penale, pasi nënshkrimi i tij nuk mundësoi realizimin financiar për dhënien e tenderit.
Rugova akuzohej se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 300 mijë euro.
Në qershor të këtij viti Rugova ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 1 vit burgim dhe ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues dhe atë, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej një viti. /Insajderi.com