Gazetari dhe publicisti, Halil Matoshi i ka quajtur të dështuara masat kundër Coronavirusit të miratuara nga Qeveria Kurti, pasi policia njoftoi se është trefishuar numri i kosovarëve që kanë kaluar kufirin për Shqipëri në tri ditët e fundit, njofton Insajderi.
Ai ka thënë se nuk ka kuptim që të mbyllet vendi, ndërsa kufijtë te mbesin hapur.
“Çfarë kuptimi ka të mbyllet vendi nga brenda e të rrinë hapur kufijtë. Këtë nuk e ka thënë shkenca, por është vendim amatoresk i kësaj Qeverie”, ka shkruar Matoshi në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, probabiliteti i infektimit me virus rritet sepse ushqimi në restorante ka rrezik mesatar të infektimit ndërsa ata që pësojnë janë ata që nuk e kanë mundësinë për të shkuar për fundjavë në Shqipni, Maqedoni e Mal të Zi.
“Ketë veprim të qeverisë i cilësoj edhe si cënim i të drejtave të njeriut dhe lirive ekonomike të diskriminohet gastronomia dhe shërbimet tjera të Kosovë”.
Ai ka theksuar se nëse gjatë 12 orëve të fundit kanë kaluar rreth 6 mijë kosovarë kufirin Kosovë – Shqipëri, vetëm taksë rrugore paguajnë rreth 20 mijë euro, nëse llogaritet që në një veturë udhëtojnë mesatarisht tre persona.
“Nuk ka të dhëna se sa kanë shkuar n’Maqedoni të Veriut, po janë sigurisht mijëra. Nëse secili nga ta i shpenzon mesatarisht 50 euro në ditë (derivate, taksë rrugore, kafe e bukë) i bie se rreth 300 mijë euro Kosova e gjunjëzuar ekonomikisht i nxjerr jashtë shtetit për një ditë.
Nëse shumica prej tyre rrinë deri të dielën, del se rreth gjysmë milioni euro derdhen në ekonomitë e shteteve fqinje për weekend”./Insajderi.com