Haliti flet për personat që e përfshinin në tregti me certifikata të veteranëve

Haliti flet për personat që e përfshinin në tregti me certifikata të veteranëve

Një bisedë telefonike mes tashmë dy të akuzuarve për mashtrime të listave të veteranëve, Bajram Sinani dhe Vesel Aruqajt, e implikonin nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës Xhavit Halitin, në tregti të certifikatave të veteranëve, raporton Insajderi.

Sipas aktakuzës për të cilin dje kishte raportuar Insajderi, Më 24 prill 2016, në ora 12:36:51, Bajram Sinani i telefononte një personi të panjohur mashkull (PPM) i cili i thotë se “nëse është e mundshme të kthehet në invalid i luftës”. Sinani zotohet se do të fliste me Xhavit Halitin.

“Më 11 tetor 2016 në ora 14:19:47 Vesel Aruqaj flet me Bajram Sinanin. Vesel Aruqaj i thotë atij: Dëgjo njeri, unë fola me Xhavitin, Xhavit Halitin, unë e aranzhova të takohem me të ditën e hënë dhe shok imi nga Shtimja”, shkruan në aktakuzën e siguruar nga Insajderi.

Përgjimi telefonik implikon Xhavit Halitin në tregtinë me certifikata të veteranit të UÇK-së

Xhavit Haliti sot përmes një reagimi në Facebook dy personat që e përfshinin në tregti me certifikata të veteranëve i ka quajtur të panjohur. Thotë se për ta nuk ka dëgjuar asnjëherë.

“Personat që përfliten në këtë rast, për mua janë thjeshtë të panjohur. Për ta nuk kam dëgjuar asnjëherë më parë. Ftoj publikisht edhe prokurorinë që të deklarohet për këtë rast dhe të bëjë sqarimet e nevojshme”, ka shkruar Haliti.

Nënkryetari i Kuvendit ka kërkuar që Prokuroria të hetojë çdo rast që lidhet me keqpërdorimet rreth certifikatës së veteranëve të UÇK-së.

“Duke e çmuar seriozitetin e çështjes, i bëj thirrje prokurorisë që të hetojë pa përjashtim çdo rast që ndërlidhet me keqpërdorime rreth certifikatës së veteranit të UÇK-së”, ka shkruar Haliti.

Kujtojmë se Prokuroria e EULEX-it gjatë ditës së djeshme ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, përfshirë këtu edhe mashtrimin me certifikata të veteranëve.

Gazeta Insajderi kishte publikuar emrat e të akuzuarve në këtë rast. Mes të akuzuarve është edhe Naser Veseli, një kushëri nga brezi i tretë i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli./Insajderi.com

Ekskluzive: Emrat e të akuzuarve për shitje të statusit të veteranit, mes tyre një kushëri i Kadri Veselit