Xhavit Haliti ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti për "Forumin e Liderëve", ku Hoti ka raportuar për dialogun me Serbinë në Bruksel.
Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit në lidhje me organizimin takimit të quajtur, ‘Forumi i Liderëve”.
Hoti sot ka raportuar para përfaqësueseve të disa partive politike që morën pjesë në këtë takim për Samitin e Parisit, në të cilin samit u takua Hoti me presidentin serb, Aleksander Vuçiq nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Sipas Halitit “Forumi Liderëve” është qesharak pasi nuk dihet nëse është kushtetues apo nëse ka status institucional.
Haliti në një postim në Facebook i ka propozuar Hotit që të raportojë në Kuvend e Qeveri, madje ta njoftojë edhe presidentin për atë që ka biseduar me Vuçiqin.
Figura e lartë e PDK-së, tha se me liderët e partive politike, kryeministri Hoti mund të bisedojë vetëm për ndryshimet e Ligjit për Zgjedhje. /Insajderi.com/
Postimi i plotë pa ndërhyrje
Z. Hoti, a mund ta sqaroni se çfarë është “Furumi i liderëve”? Kur është formuar dhe nga kush? Cilat janë kopetencat e këtij “kuazi forumi”? A është kushtetues? Ky “forum” a ka status institucional e Kushtetues? Si caktohet statusi i liderit që merrë pjesë në mbledhjet e këtij “forumi”? A është miratuar ky organ qesharak nga Kuvendi i Kosovës? Apo jeni i interesuar ta përjashtoni sovranin e të merreni me “pronarin”, me falni me “pronarët” e partive politike që deputetët e partive të veta i kanë vetëm si makineri votimi.
Z. Hoti, raporto në Qeveri e Kuvend për atë që biseduat me Vuçiqin në Bruksel. Kjo është detyra e juaj dhe obligimi i juaj kushtetues. Njoftoje edhe Presidentin.
E me kryetarët e partive është mirë të bisedoni për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet dhe ta përgatitni atë.
Besoj që e dini që BE, SHBA dhe Britania e Madhe, kanë insistuar dhe insistojnë që të bëhet ligjit i ri zgjedhor.