Haliti: Kurti e ka pasur të ndaluar të flasë në emër të UÇK-së

Haliti: Kurti e ka pasur të ndaluar të flasë në emër të UÇK-së

Njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka qenë pjesë e kësaj ushtrie, por sipas tij për shkak të një përplasje me strukturat drejtuese të saj, e ka pasur të ndaluar të flasë në emër të UÇK-së.

Haliti ka deklaruar se roli i Kurtit në ushtri ka qenë “minor”.

“Unë e di kohën kur ai është angazhuar, është angazhuar në zyrën e zotit Demaçi. Se a ka qenë në beteja ose jo se unë nuk e di, nuk kam qenë as vetë këtu, por roli i tij në UÇK ka qenë minor”.

“Kurti ka qenë njohës i mirë i gjuhës serbe dhe angleze edhe shqipe kuptohet dhe i ka shërbyer zotit Adem shumë në përkthime, por e ka pasur një problem, që nuk dua ta nxjerr, një përplasje e ka pasur me strukturat drejtuese të UÇK-së, të cilat ia kanë ndaluar të flas në emër të UÇK-së”, ka thënë Haliti në ATV, përcjell Shqip.com.

Ka shtuar se shkak i “përplasjes” së Kurtit me drejtuesit e UÇK-së ka qenë një deklaratë e kryeministrit të tanishëm që sipas Halitit, nuk u ka pëlqyer atyre.

Ndryshe, një debat për kontributin e Kurtit, gjatë luftës ka qenë temë diskutimi mes deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe kreut të ekzekutivit në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës.

Kurti ka deklaruar se askush nuk mund ta cilësojë si “kundër UÇK-së”, dhe ka shtuar se “ishte sekretar i Adem Demaçit”.

“S’mund ta përçani popullin me kinse unë jam kundër UÇK-së. Se a kam qenë UÇK pyete Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën – dy komandantat të tregojnë. Ama, pushoni me këtë idenë e përçarjes dhe ndarjes. Dëshirën e juaj mos ma përshkruani si fakt mua”, ishte shprehur Kurti para deputetëve./Insajderi.com