Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se qeveria aktuale e vendit duhet fillimisht para deputetëve të definojë qartë qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi, transmeton Insajderi.
Ai shton se kjo qeveri duhet t’i ruajë raportet me partnerët e Kosovës, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë janë përfshirë në zhvillimet e dialogut dhe rezultatet që i ka prodhuar deri më tani dhe mund t’i prodhojë ky proces.
“Unë mendoj që duhet të ulemi me të gjithë faktorët, me shtetet e veçanta të Bashkimit Evropian, me BE-në, me institucionet e BE-së në Bruksel. Por, duhet të bisedojmë edhe me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç është ambasadori (Philip) Kosnett në Prishtinë dhe duhet t’i hedhim të gjitha letrat në tavolinë. Ne e kemi një problem që po na mundon. Ky është problemi që deklaratat e mëhershme po na pengojnë ta pranojmë realitetin. Realiteti është ky që është dhe ne duhet të ecim më tutje”, tha Haliti për REL.
Deputeti i partisë më të madhe opozitare shpreh mendimin që Kosova, për të ruajtur raportet pozitive me vendet partnere, nuk duhet të përplaset me qëndrimet e tyre.
“Mendoj që Alfa dhe Omega e një shteti demokratik, e një shteti të përgjegjshëm, është që marrëveshjet që i ka bërë administrata paraprake i njeh edhe kjo dhe vazhdon me punën. Unë mendoj që axhamillëku në politikë duhet të përfundojë dhe duhet të fillojnë përgjegjësitë që të zyrtarizohet politika e jashtme e Kosovës, të zyrtarizohet politika e dialogut, sipas preferencave që ka Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Haliti. /Insajderi.com