Haliti thotë se PDK duhet të hyjë në Qeveri

Haliti thotë se PDK duhet të hyjë në Qeveri

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se partia të cilën e përfaqëson duhet të hyjë në qeverinë e përbërë nga LDK-AAK dhe Nisma, duke shtuar se nuk ka kushte që në këto kohë të mbahen zgjedhjet, njofton Insajderi.

Në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, Haliti ka shtuar se ashtu siç duhet të jetë e gatshme PDK të hyjë në qeveri, edhe LDK duhet të jetë e gatshme ta pranojë këtë parti.

“Unë mendoj që PDK-ja duhet të jetë e gatshme të hyjë në qeveri. Por edhe LDK-ja duhet të jetë e gatshme ta pranojë PDK-në”, ka thënë Haliti.

Sipas tij, nëse arrihet marrëveshja ndërmjet këtyre dy partive, atëherë mandati duhet të shkojë deri në fund.

“Dhe nëse arrihet kjo marrëveshje, atëherë nuk është problem se kush bëhet ministër”.

Ai tha se beson që pozita e presidentit duhet t’i takojë PDK-së.

“Po besoj që presidenti do të duhej të ishte propozim i PDK-së dhe atëherë duhet të diskutohet me të tjerët, edhe me VV-në, pse jo”, ka thënë Haliti. /Insajderi.com