Hamiti: Lexuesi i kujdesshëm e inteligjent mbrohet kështu prej propagandës

Hamiti: Lexuesi i kujdesshëm e inteligjent mbrohet kështu prej propagandës

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherit profesori i gjuhës angleze, Muhamet Hamiti ka shkruar një tekst në lidhje me termin propagandë.

Hamiti në profilin e tij në Faceboook, ka folur për propagandën e përdorur në favor të një partie, medies apo siç ka thënë ai ‘analistët e pavarur’ që i janë kacavjerrë pushtetit.

Mes tjerash, ai shpjegon kapjen e mediave nga qeveria dhe në anën tjetër diskuton edhe për atë kur mediat i kapen pushtetit.

“E mira e situatës sonë është se ka shumë media. I merr një palë faktesh e argumentesh prej njërës, një palë tjetër prej të dytës a të tretës. Lexuesi i kujdesshëm e inteligjent mbrohet kështu prej propagandës”, ka shkruar Hamiti.

Shkrimi i plotë i Hamitit:

Propaganda

Informacion, ide, opinione apo imazhe që të shpeshtën japin vetëm një pjesë të argumentit, të cilat transmetohen, botohen, apo në ndonjë mënyrë tjetër përhapen me qëllim që t’i influencojnë opinionet e njerëzve. (Information, ideas, opinions, or images, often only giving one part of an argument, that are broadcast, published, or in some other ëay spread ëith the intention of influencing people’s opinions).
Ky është përkufizimi i propagandës që e jep fjalori i anglishtes i Kembrixhit (Cambridge Dictionary).
Këtë lloj propagande finoke – me prezentim selektiv të fakteve – në favor të Partisë (pushtetit) te ne e bëjnë tash edhe mediat apo analistët e pavarur që i janë kacavjerrë pushtetit.

Është folur shumë në Kosovë për kapjen e mediave prej Qeverisë/pushtetit, por ka mbetur i pavërejtur fenomeni invers, kur mediat i kapen pushtetit. E kam fjalën për mediat që shpallen e mburren, dhe përfitojnë, si të pavarura. Propagandë nën maskën e pavarësisë e të paanësisë, madje edhe të profesionalizmit.

E mira e situatës sonë është se ka shumë media. I merr një palë faktesh e argumentesh prej njërës, një palë tjetër prej të dytës a të tretës. Lexuesi i kujdesshëm e inteligjent mbrohet kështu prej propagandës.