Qeveria ka vendosur të hapë edhe katër pika të tjera kufitare. Arsye janë lëvizjet që kanë filluar të shpeshtohen të njerëzve nëpër kufij.

Nga 22 qershori do të hapen edhe katër pika kufitare për qarkullim, të cilat ishin mbyllur për shkak të situatës me COVID-19, njofton Insajderi.
Ky është një nga vendimet e marra sot nga Qeveria e Kosovës, pasi është rritur fluksi i qytetarëve që po shfrytëzojnë kufijtë të cilët tashmë janë hapur.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se Ministria që ai udhëheqë në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme do të analizojë situatën dhe varësisht nga kapacitetet, gradualisht të hapen edhe pikat e tjera kufitare.
“Ne paraprakisht kishim përcaktuar pikat kufitare të cilat u hapën me atë datë, Merdare, Kullë, Vërmicë, Han i Elezit, Jarinje, Dheu i Bardhë, është e domosdoshme, pas fluksit të madh të qytetarëve të cilat drejtohen në pikat e tjera, kemi propozuar që të hapen edhe pikat e kalimit të kufirit edhe Qafë Prush, Qafë Morinë, kufirit Muçibabë dhe Mutivodë”, tha Zemaj në mbledhjen e qeverisë.