Në Komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut sot në orën 07:00 janë hapur të gjitha qendrat e votimit, në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre dy komunave komunës, njofton Insajderi.
Qytetarët e komunës së veriut të Mitrovicës dhe Podujevës, nën masat anit-Covid, sot do të kenë të drejt të zgjedhin kryetarin e tyre, i cili do të ketë mandat deri në zgjedhjet e ardhshme komunale të vitit 2021.
Komuna e Podujevës ka mbetur pa kryetar qysh në fillim të shkurtit, kur Agim Veliu ka dhënë dorëheqje, pasi është emëruar ministër i Brendshëm në Qeverinë e ish-kryeministrit Albin Kurti.
Pa kryetar, nga fillimi i qershorit, ka mbetur edhe Mitrovica e Veriut, pasi Goran Rakiq, nga Lista Serbe, është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë e re të Avdullah Hotit.
Në garë për kryetar të Komunës së Podujevës janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ndërsa, për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut garojnë Milan Radojeviq nga Lista Serbe, Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosoveës, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Dushan Milunoviq si kandidat i pavarur.
Komuna e Podujevës ka 87, 381 votues të regjistruar, kurse numri i qendrave të votimit në këtë komunë është 45 me gjithsej 115 vendvotime.
Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Mitrovicën e Veriut përmban 23 mijë e 313 votues, të cilët do të mund të votojnë në shtatë qendra të votimit me gjithsej 27 vendvotime
Numri i vëzhguesve të akredituar për të vëzhguar procesin zgjedhor në këto dy komuna është rreth 1 mijë e 700 vëzhgues. Numri më i madh i tyre përfaqësojnë subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, pastaj nga organizatat jo-qeveritare vendore si dhe nga mediat vendore e ndërkombëtare.
KQZ ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e masave të ndërmarra me qëllim të mbrojtjes së shëndetit.
Duke pasur parasysh se Kosova po përballet me një valë të rasteve të shumta me COVID-19, komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar udhëzimin për masat mbrojtëse për parandalimin e infektimit me COVID-19 për votuesit dhe stafin zgjedhor në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.
Meqenëse Komuna e Podujevës dhe ajo e Mitrovicës bëjnë pjesë në mesin e komunave me numër të madh të infektuarve me Coronavirus, Ministria e Shëndetësisë i ka futur ato në zonën e kuqe, e që krahas masave të tjera nënkupton edhe kufizimin e lëvizjes nga ora 19:00 deri në 05:00. Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka marrë vendim të shtunën që të dielën të lejohet qarkullimi i e qytetarëve deri në orën 22:00 në të gjitha zonat e ndaluara për qarkullim për ata votues që votojnë pas orës 19:00 në zgjedhjet për kryetar të Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut./Insajderi.com