Kandidati për President, njëherit edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, sot gjatë ditës ka vizituar Pejën, ku edhe ka prezentuar programin.
Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka thënë se është i nderuar në mesin e bashkëluftëtarëve.
“Sot në Pejë, zhvillova tri takime të ndara me luftëtarë nga komuna e Pejës, që të shmangim grumbullimet e mëdha për shkak të gjendjes pandemike”, ka shkruar ai.
Më tej ai tha se Kosova ka nevojë për unitet të brendshëm, në rrugën e saj drejt NATO-së.
“Por ne nuk do të qëndrojmë të bllokuar, e në tavolina dialogu deri në pafundësi, sepse nëse vazhdon izolimi jonë, fitojnë vetëm Serbia dhe Rusia”.
“14 shkurti është referendum për Kosovën në NATO. Unë dhe bashkëluftëtarët e mi, ishim të gatshëm kur ishte koha për të çliruar vendin, e jemi të gatshëm edhe për ta mbrojtur. Por mbrojtja më e mirë e vendit është Kosova në NATO. Nëse kjo nuk arrihet në vitet në vijim, organizimi i referendumit për bashkim me Shqipërinë, është rruga që ne do të ndjekim, për të siguruar veten dhe paqen në rajon” shkroi Haradinaj./Insajderi.com