Haradinaj bartës i listës dhe kandidat për President nga AAK

Haradinaj bartës i listës dhe kandidat për President nga AAK

Kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se bartës i listës së deputetëve është ai vetë, duke njoftuat se është edhe kandidat nga Aleanca për President dhe jo për Kryeministër, njofton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në një koferencë për media, ku tutje bëri të ditur edhe emrat e anëtarëve të rinj, që do të garojnë për herë të parë në listën e kësaj partie.

“Bartës i listës jam unë dhe kam nderin t’i prijë kësaj liste. Jam kandidat nga Aleanca për President, nuk jam kandidat për Kryeministër”, tha Haradinaj në një konferencë për media.

“Në AAK kemi zgjedhur ekspertë të fushave të ndryshme, nesër do të paraqesim listën e plotë të kandidatëve tanë. 2/3 janë anëtarë të rinj”.

“Disa prej tyre po i prezantojmë sot dhe ata janë; Shemsedin Dreshaj, doktor i sëmundjeve infektive, kontribuues në luftën kundër pandemisë, Shukrije Bytyqi, aktiviste dhe profesoreshë e Kimisë në Malishevë, Doktoresha Shqipe Krasniqi Kastrati, Kaltrina Morina, studente e Gazetarisë nga Drenasi, Shkëlqim Millaku, profesor në Filologji nga Klina dhe djalë dëshmori, Ishmet Vehbi Samolli, Inxhinier dhe Ekspert në infrastrukturë rrugore dhe ndërtim, Diellza Kukaj, kandidate për doktor shkence në Ekonomi me studime në Austri, Blerta Daci, Master në Juridik me studime në Gjermani”, ka thënë ai.

Në fund, Haradinaj shprehu mirënjohje për të gjithë anëtarët të cilët iu bashkuan Aleancës. /Insajderi.com