Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje qytetarëve për protesta, pas vendimit të Qeverisë për taksë me rastin e regjistrimit të veturave, njofton Insajderi.
Nga një shtatori qytetarët duhet të paguajnë 4 euro e 90 cent shtesë kur bëjnë regjistrimin e veturës. Kjo pasi Ministria e Infrastrukturës dhe kompania ‘Auto Control Kosova’, ka nënshkruar marrëveshje për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.
E sipas Haradinajt, me këtë vendim përfitojnë bizneset private dhe individët e lidhur me të.
“Qeveria e Kosovës ka vendos një taksë krejtësisht të re, në vlerë prej 5 euro, në secilën herë që i regjistroni automjetet tuaja. Me këtë vendim përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, duke zbraz xhepat e qytetarëve me afro 2 milion euro në vit, të cilat nuk i shkojnë buxhetit të shtetit. Qytetarë të nderuar, PROTESTONI”, ka thënë Haradinaj në postimin e bërë në Facebook./Insajderi.com