Haradinaj deklarohet për Insajderi.com: S’jam në zyre, kam ftuar avokatin që të shkojë

Policë e ushtarakë të EULEX-it kanë bastisur zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës. Ende nuk është dhënë një sqarim zyrtar për arsyen e bastisjes. Ky aksion i EULEX-it po vjen, vetëm disa ditë pasi nga OVL u publikuan disa dokumente që më vonë u kuptua se janë dosje nga Gjykata Speciale.

Haradinaj deklarohet për Insajderi.com: S’jam në zyre, kam ftuar avokatin që të shkojë

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, është deklaruar rreth aksionit të sotëm të njësive policore të EULEX-it në zyret e kësaj organizate.

Në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, Haradinaj ka thënë se ka ftuar avokatin që të shkojë në vendin e ngjarjes, meqë vetë nuk është brenda zyreve dhe se nuk mund të flet asgjë më shumë për media.

“Çdo kontroll rutinore pa prezencën e avokatit është e jashtëligjshme. Unë e kam ftuar avokatin që të shkojë atje sepse unë nuk jam brenda zyreve”, ka thënë Haradinaj.

Bastisja e zyrave të OVL-së vjen disa ditë pasi nga kjo zyrë u zbuluan dosje që më vonë u vërtetua se janë të Gjykatës Speciale.

Nga OVL thoshin se dosjet nuk i kanë marrë ata, porse dikush po ua sjellë.

Atë dikush ata e quanin “Rrufeja”, duke aluduar se ikte shumë shpejt pasi sillte dosjet.

Një herë edhe publikuan një video që tregon një person të maskuar që shkonte te zyra e OVL-së dhe linte grumbullin me dokumente.

Ambientet e veteranëve të UCK-së ditë më parë u vizituan edhe nga personel i Gjykatës Speciale. /Insajderi.com