Haradinaj dënon sulmin në Gjermani ku mbetën të vdekur katër persona

Haradinaj dënon sulmin në Gjermani ku  mbetën të vdekur katër persona

Kryeministri Ramush Haradinaj e ka dënuar sulmin në Gjermani ku mbetën të vdekur katër persona dhe rreth 30 të tjerë u plagosën.

“I prekur nga sulmi i tmerrshëm në  Münster të Gjermanisë. Jemi pranë popullit dhe Qeverisë gjermane në këto çaste të vështira dhe ndajmë dhembjen me familjet e viktimave”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Sipas edicionit online të revistës Spiegel, autoritetet gjermane “dyshojnë” se ky incident është sulm, por ato ende nuk kanë konfirmuar një gjë të tillë.

E përditshme gjermane, Sueddeutsche Zeitung, transmetuesi publik gjerman, ZDF dhe agjencia DPA, kanë raportuar se shoferi i furgonit është me kombësi gjermane.

Mediat gjermane raportojnë se ai ka pasur probleme psikologjike dhe se ky incident nuk ka motive terroriste. Këto media kanë thënë se shoferi, i cili ka vrarë më pas vetën, ka qenë rreth 40 vjeç.

I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve që humbën më të dashurit e tyre, ndërsa të lënduarave shërim të shpejtë.

Kosova qëndron me Gjermaninë në këto momente të vështira.

Qytetarët e Kosovës që kanë mundur të preken nga ky sulm për çdo lloj ndihme mund të kontaktojnë në këtë numër emergjent të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Frankfurt. +49 176 681 497 36

Pas sulmit në Münster, ku mbetën të vdekur katër persona dhe rreth 30 të tjerë u plagosën, Spitali Universitar i këtij qyteti ka kërkuar dhurues të gjakut, dhe sipas mediave gjermane gjendja e disa prej të plagosurve është e rëndë.