Haradinaj e cilëson të padrejtë vendimin për vazhdimin e mandatit të Speciales

Haradinaj e cilëson të padrejtë vendimin për vazhdimin e mandatit të Speciales

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e quan të padrejtë vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale dhe gjykimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Insajderi.

Haradinaj konsideron se Kosova është ballafaquar njëherë me akuza të tilla, duke e ditur se UÇK-ja ka bërë luftë mbrojtëse dhe të pastër.

“Duke pasur parasysh se e vërteta e luftës sonë ka qenë një luftë mbrojtëse çlirimtare, që është një luftë e drejtë e pastër dhe që ushtarët e UÇK-së, udhëheqësit e saj janë njerëz të pafajshëm dhe kjo më se miri vërtetohet këtu në Rahovec, pra jemi në vendin e shumë masakrave që i dimë, dy Krushat, Seli, Pastasell, Rahoveci vet, gjithë kjo zonë është martire. Kemi parasysh edhe fatin e të zhdukurve, si rasti i profesorit të nderuar veprimtarit Ukshin Hoti. Vërtet është e padrejtë dhe iu uroj gjithë luftëtarëve, gjithë bashkëluftëtarëve festën e flamurit, pavarësisë së Shqipërisë, por edhe festën e UÇK-së”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa thotë se pozita dhe opozita duhet të jenë të bashkuar për këtë rast në mbështetje, por dhe në zbatim të ligjit për mbrojtje të vlerave të UÇK-së.

“Ne duhet të jemi të bashkuar në këtë rast, jo vetëm Qeveria, po të gjithë, pozitë opozitë, që të mbështesim të gjithë shtetasit e Kosovës, ata janë shtetas të Kosovës, bashkëkombësit tanë, qytetarë të këtij vendi, kuptohet edhe udhëheqës institucional, politik, në këtë rast edhe udhëheqësit e UÇK-së dikur, duhet t’i mbështesim ashtu si ka vendosë parlamenti, pra kemi ligjin për përkrahje, dhe ne duhet ta zbatojmë ligjin dhe jam i bindur që do ta zbatojmë”, ka thënë Haradinaj. /Insajderi.com