Haradinaj e kritikon planin qeverisës të Qeverisë Kurti 2

Haradinaj e kritikon planin qeverisës të Qeverisë Kurti 2

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar planin qeverisës të Qeverisë Kurti II, gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën u prezantua ky program, përcjell Insajderi.

Ai ka thënë se ky dokument i paraqitur nuk i ngjason një programi qeverisës, ndërsa tha se asnjë nga projektet nuk ka paraparë afat kohor.

“Ky është program ideor dhe nuk i ngjason një plani qeverisës. Nëse e leni në këtë mënyrë se është sot është rrezik se ministrat i keni lënë pa detyra dhe të lirë sepse nuk i keni dhënë një korniza të saktë. Asnjëra nga projektet nuk ka paraparë afat kohorë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai po ashtu përmendi planifikimin e projekteve infrastrukturore, në të cilat nuk është përfshirë rruga Deçan-Plavë.

“Po e izoloni një ëndërr të shqiptarëve që me e pas një lidhje”, ka shtuar Haradinaj./Insajderi.com