Kryetari për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës , Ramush Haradinaj e ka quajtur “dështim të plotë” përfaqësimin e kryeministrit, Albin Kurti në procesin e dialogut me Serbinë, shkruan Insajderi.
Haradinaj në Facebook ka shkruar se njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës në këtë dialogë, e sipas tij, në të nënkupton edhe paqen, statusin më të avancuar ekonomik si dhe hap rrugë për zbulimin e të pagjeturve.
“Është e habitshme, pse njohja e Kosovës nuk është prioritet i tij. Prioritet i parë i tij na qenka shndërrimi i CEFTA-s në SEFTA. Qesharake. Ashtu si edhe prioriteti i dytë, marrëveshja për paqe mes dy vendeve, e po ashtu edhe qasja për të pagjeturit”, ka thënë ai.
Sipas tij, “ kjo qasje për të biseduar për tema, pa e njohur shtetet njëra tjetrën, siç kishte ndodhur më parë në procesin e dialogut, nuk ka rezultate, e në këtë fazë është edhe e rrezikshme për vendin”./Insajderi.com