Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka thënë se me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e albanologut kanadez me prejardhje gjermane, Robert Elsie.
“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e papritur të albanologut kanadez me origjinë gjermane, ndër më të shquarit e kohës sonë, Robert Elsie”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka thënë se Elsei ishte njeriu ndër më meritorët në fushën e albanologjisë në kohën tonë.
“Elsie ishte albanologu më prodhimtar, autor i dhjeta librave nga fusha e albanologjisë si dhe kritik e përkthyes në anglisht i letrave shqipe”, ka shkruar më tej ai.
Sipas Haradinajt, ai do të mbahet mend si përkthyes në anglisht i poemës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malësisë”.
“Elsie kishte përpiluar edhe fjalorë të shqipes si dhe ishte autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Kosovës. Vdekja e tij është humbje e madhe për familjen dhe miqtë, por njëherësh edhe për albanologjinë dhe historiografinë, për shqiptarët përgjithësisht dhe Kosovën në veçanti”, vazhdon tutje mesazhi i kryeministrit.
“Ngushëllime! Pastë dritë shpirti i tij!”, ka përfunduar postimi i kryeministrit./Insajderi.com