Haradinaj ende pa përgjigje nëse do ta votojë Osmanin për presidente

Haradinaj ende pa përgjigje nëse do ta votojë Osmanin për presidente

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ende nuk ka asnjë qëndrim lidhur me votimin e Vjosa Osmanit si president të vendit, përcjell Insajderi.

I pyetur se a do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit të Kosovës deputetët e partisë së tij gjatë zgjedhjes së Presidentit, Haradinaj është shprehur që sot nuk ka një përgjigje të tillë.

Këto deklarata i pari i AAK-së i ka bërë gjatë një konference për medie që ka zhvilluar pas takimit me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

“Ne e kemi ftuar një takim të grupit parlamentar për ta diskutuar qasjen tonë. Por, sot nuk kam një përgjigje”, ka thënë Haradinaj.

Partia Demokratike e Kosovës të mërkurën ka bërë të ditur se ka vendosur të mos e përkrahë për presidente Vjosa Osmanin./Insajderi.com