Haradinaj flet për mundësinë që FSK-ja të shkojë edhe në veri

Haradinaj flet për mundësinë që FSK-ja të shkojë edhe në veri

Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk po i shtohen kompetencat, por po i jepet mandat i plotë.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për Kosovapress-in, Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

Sipas tij, ai mandat është për ta mbrojtur të gjithë Kosovën dhe kush nuk e bën këtë, shkel ligjin dhe kushtetutën.

“Ju siguroj, është dallim i madh, kompetenca është kur ia rritë një element, ne po i japim mandat, një fjalë veç mandat, veç një fjalë është me mbrojtë Kosovën, a e kuptoni dallimin. Është dallim, kompetencë për shembull, mund të thuash ti… FSK përpara ka pasë zjarrfikësit, ajo kjo… edhe një sen po ja shton, nuk është ashtu. Kompetencë nuk ka të bëjë më, i ndërrohet mandati”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj shpreson se kur projektligji për FSK-në të shkojë në Kuvend në lexim të dytë, ai do t’i marrë votat e deputetëve.

“FSK-ja ka edhe gardë ndërkombëtare, 20 përqind aktiv, tre për qind do të rrinë rezervë. E ka ushtrinë tokësore, tri njësi, pra tri forca, t’i quaj ashtu, e kam përmend edhe një në veriu edhe u mendua që po du me qu ushtrinë në veri, nuk është ashtu. Po qysh është KFOR-i i organizuar, jug-qendër-veri, edhe ushtria jonë është e organizuar në tri rajone të përgjegjësisë, por jo që duhet ne me shku me sulmu veriun me ushtri, edhe po keqkuptohem në disa gjana. Por, si KFOR-i të njëjtën strukturë që ka sot, edhe e jona do të ketë, se ne kemi partneritet me KFOR-in edhe e përkrahim KFOR-in. Qysh e përkrahim në Pejë, në Gjakovë, qashtu do ta përkrahim në çdo pjesë të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Pavarësisht nacionalitetit që kanë pjesëtarët e FSK-së, Haradinaj thotë se do të duhet ta mbrojnë Kosovën, sepse, në të kundërtën, do të ballafaqohen me ligjin.