Haradinaj flet për rolin e UÇK-së dhe krijimin e Ushtrisë

Haradinaj flet për rolin e UÇK-së dhe krijimin e Ushtrisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se falë intervenimit të NATO-s dhe  ndihmës ndërkombëtare, është arritur që t’i jepet fund një lufte të tmerrshme për liri, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i Kosovës që rezultoi me tërheqjen e forcave serbe.

Haradinaj ka përmendur se sot, 20 vjet më pas, pasi jemi ndihmuar nga mbarë bota dhe pas ruajtjes së paqes dhe sigurisë për popullin e Kosovës, po krijohet ushtria jonë, e emëruar deri më tani si FSK.

“Deri më tani, kemi qenë vetëm konsumues të paqes dhe kemi trupa ndërkombëtar këtu dhe po, do të donim një ditë të shpaguajmë të gjitha kombet, të gjithë gratë e burrat që kanë shërbyer në shtetin tonë, që të shërbejmë krah tyre për paqe në botë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kryeministri ka shtuar se Kosova ka bërë një punë serioze për të kompletuar tërë strukturën e sigurisë, të gjitha institucionet.

Haradinaj ka përmendur edhe tarifën e vendosur në importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Sipas tij tarifat do të hiqen, vetëm atëherë kur Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë Marrëveshjen Ligjërisht Obligative për njohje reciproke.

Postimi i plotë i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj:

Në vitet ’98 dhe ’99 populli ynë është përballur me kërcënimin më të madh ndonjëherë. Gjysma e popullatës sonë është zhvendosur dhe jetesa në vendin tonë ishte e pamundur. Vetëm falë intervenimit të NATO-s, falë ndihmës ndërkombëtare, kemi arritur t’i japim fund një lufte të tmerrshme për liri, e udhëhequr nga UÇK dhe populli i Kosovës, dhe e ndalur nga NATO, që rezultoi me tërheqjen e forcave serbe. Forcat serbe të Milloshevicit të asaj kohe, kishin humbur kontrollin edhe në Kosovë, pas luftërave të mëparshme në Kroaci dhe Bosnjë. Ishte një e arritur madhore e komunitetit ndërkombëtar që i dha fund luftës. Pas luftës, nuk kishte më nevojë për ushtrinë tonë çlirimtare. Kishte nevojë për rindërtim dhe për të rikthyer jetën. UÇK-ja në atë kohë u transformua në një forcë për emergjenca, që ndihmoi në rindërtimin e shtëpive, rrugëve dhe të shkollave, si dhe për të asistuar KFOR-in në detyra të ndryshme, kur i është kërkuar. Sot, 20 vjet më pas, pasi jemi ndihmuar nga mbarë bota dhe pas ruajtjes së paqes dhe sigurisë për popullin e Kosovës, ne po krijojmë ushtrinë tonë, e emëruar deri më tani si FSK, me qëllim që të kontribuojmë për paqe dhe stabilitet të shtetit tonë, rajonit, me shpresën për të kontribuar për paqe dhe stabilitet në tërë botën. Deri më tani, kemi qenë vetëm konsumues të paqes dhe kemi trupa ndërkombëtar këtu dhe po, do të donim një ditë të shpaguajmë të gjitha kombet, të gjithë gratë e burrat që kanë shërbyer në shtetin tonë, që të shërbejmë krah tyre për paqe në botë.

Kosova ka bërë një punë serioze për të kompletuar tërë strukturën e sigurisë, të gjitha institucionet. Policia jonë po bën punë të madhe, Agjensioni i Inteligjencës në partneritet me organizatat simotra po bën një punë të shkëlqyer, për të luftuar terrorizmin, për të luftuar luftëtarët e huaj dhe për të luftuar ekstremizmin. Gjyqësori ynë po vazhdon të përmirësohet dukshëm. Deri më tani nuk kemi qenë ende në pozitë për ta pasur ushtrinë tonë, por nuk mund të jesh i sigurt, nuk mund të kontribuosh për paqe dhe stabilitet në botë, pa pasur paqe për vete, pa e pasur ushtrinë tonë. Ne kemi vendosur në këtë fazë, që edhe ne, si Kosovë, ta kemi ushtrinë tonë, që të jemi të aftë ta japim kontributin tonë modest për paqen dhe stabilitetin tonë, të rajonit, dhe poashtu për ta ruajtur stabilitetin dhe paqen në botë.

Jo vetëm unë, që isha komandant gjatë kohës së luftës në vitet ’98 dhe ‘99, por besoj që tërë populli i Kosovës ndihen të lehtësuar, sepse më në fund nuk kanë nevojë të mendojnë se si ta mbrojnë veten. Kjo është një pyetje që ka marr përgjigje përgjithmonë. Dhe duke pasur parasysh synimin tonë për të qenë pjesë e NATO-s, kjo është e arritur e jashtëzakonshme.

Tarifa e vendosur në importet nga Serbia dhe BeH, ishte vendim për ta mbrojtur veten kundrejt agresionit të vazhdueshëm të shtetit serb, mbështetur nga Bosnja. Tarifat do të hiqen, vetëm atëherë kur Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë Marrëveshjen Ligjërisht Obligative për njohje reciproke. Përfundimisht ndihemi të lehtësuar.