Haradinaj flet sërish për vizat, thotë se do të ketë lajme të mira për kosovarët

Haradinaj flet sërish për vizat, thotë se do të ketë lajme të mira për kosovarët

Kryeministri në detyrë, Ramush Hardinaj, ka dhënë sërish premtime për heqjen e vizave duke thënë se kjo do të ndodhë shpejt duke mos dhënë kështu një afat kohor.

Në një intervistë për Gazetën Insajderi, Haradinaj tha se për të ndodhë kjo duhet së pari të krijohet qeveria e re, dhe se ai si kryeministër i ka kryer etapat deri te liberalizimi i vizave.

“Nëse krijohet qeveria ‘Kurti’ unë e shoh një lajm të mirë, lajmi i mirë është se do të marrim liberalizimin e vizave sa më shpejt besoj, cilado qeveri që krijohet se është proces i kryer, dhe ky është një lajm i mirë se është kry realisht. Veç nevojitet formimi i qeverisë, që Kosova të ka një qeveri që e shpejton, por është problem mos krijimi i qeverisë”, ka thënë ai për Insajderin

Tutje, ai ka thënë se qeveria e udhëhequr prej tij i ka kryer të gjitha etapat drejt liberalizimit të vizave.

“Nuk është problem me mua, se janë kryer krejt etapat deri te liberalizimi i vizave, megjithatë s’po bëhet qeveria, dhe të gjithë e dimë që duhet me u bë, edhe ajo po jetë si pikëpyetje”, ka thënë Haradinaj.