Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me disa pyetje publike duke hedhur dyshime mbi rritjen e çmimit të energjisë elektrike, përcjell Insajderi.com.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj pyeti Kurtin se “nëse të gjitha veprimet në raport me energjinë, fshehin diçka më të madhe se mungesa e përvojës së Kryeministrit”.
Tutje, i pari i AAK-së hedhi dyshime se nëse situata me energjinë elektrike “është shkaktuar për të përfituar mafia energjetike”.
Kreu i partisë opozitare vazhdoi me pyetje ndaj kryeministrit duke thënë se nëse Qeveria dhe një pjesë e opozitës, kanë “interesa klienteliste”.
“Çmimi i mashtrimit, pasojë e mosdijes apo interesave klienteliste. Qasja e Albin Kurtit për energjinë në vazhdimësi ka qenë problematike. Kur ishte në opozitë ka kundërshtuar ndërtimin e Kosovës së Re, me arsyetimin që do të dilte rryma më shtrenjtë, megjithëse çmimi i saj po rezulton se do të na dilte për disa herë më i lirë;
Sapo ka ardhur në Qeveri, me arsye qesharake për të mos thënë banale e ka refuzuar gazin amerikan, që do të ishte një burim shtesë i prodhimit të energjisë; Ka shpenzuar dhjetëra milionë për pagesën e rrymës për qytetarët serbë në veri; Njëkohësisht ka vazhuar ta subvencionojë blerjen e rrymës me dhjetëra milionë të tjerë të taksapaguesve”, shkroi ndër tjerash ai.
Ndryshe, të mërkurën Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk i ka përjashtuar protestat për të kundërshtuar vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se ky vendim është i papranueshëm dhe se të enjten, në debatin parlamentar do të trajtojë pikërisht këtë temë.
Deputeti opozitar deklaroi se presin nga Lëvizja Vetëvendosje që të votojë rezolutën që obligon Qeverinë dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për mos ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike.
Ndryshe, edhe Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se janë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Sipas shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjithë kjo rritje ka ardhur si pasojë e “paaftësisë” së menaxhimit të situatës nga “mazhoranca e udhëhequr nga Albin Kurti”.
Tutje, Tahiri i PDK-së deklaroi se grupi parlamentar i tyre në seancën parlamentare të së enjtes, do të shfrytëzojnë mundësitë që të mos realizohet kjo ngritje e çmimit./Insajderi.com