Haradinaj heq dorë nga posti i presidentit: Nuk i kemi 2/3 e votave

Haradinaj heq dorë nga posti i presidentit: Nuk i kemi 2/3 e votave

Lideri Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia që ai udhëheqë nuk i ka 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës, dhe për këtë është e pamundur që ai të zgjedhet president, përcjell Insajderi.

Ai është shprehur se me pozitën do të bashkëpunojnë për temat me interes nacional.

“Ne mendojmë që funksioni ynë opozitar është i rëndësishëm për të mundësuar më tutje funksionimin e institucioneve.

Kanë kërkuar një konstruktivitet të Aleancës në një partneritet pozitë-opozitë dhe është e kuptueshme që AAK-ja ka përvojë në opozitarizëm që dikur këtë e kemi bërë bashkë me Kurtin”, ka thënë Haradinaj pas takimit që ka zhvilluar më liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si dhe presidenten në detyrë, Vjosa Osmani.

I pari i AAK-së tutje ka shtuar se është detyra e fituesve të zgjedhjeve që t’i sigurojnë votat për formimin e institucioneve.

“Detyra jonë nuk është me e përkrahë koncentrimin e pushtetit, populli ia ka jep votën, por nuk ia ka dhënë edhe 2/3 për presidentit, është përgjegjësia e tyre t’i sigurojnë votat, si Aleancë do të marrim vendimet tona në parti. Mendoj që fituesit e zgjedhjeve mbajnë përgjegjësi për ta implementuar rezultatin jo për të shkuar në zgjedhje, por ne jemi të gatshëm për zgjedhje jo vetëm tash, por çdo herë”, tha kreu i AAK-së./Insajderi.com