Kryeministri Haradinaj ka bërë të ditur se e ka njoftuar përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, dhe të gjithë ambasadorët në Kosovë lidhur me vendosjen e masës prej 100 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Në hollin e Kuvendit të Kosovës, Haradinaj tha se pret që përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ta njoftojë Mogherinin lidhur me sqarimin e Qeverisë për këtë vendim.
“Sapo u kam dërguar letër të gjithë ambasadorëve edhe të BE-së. Zonjës Apostolova i kam shpjeguar faktet pse kemi ardhur deri te ky vendim në çka e kemi bazuar. Është një vendim i Kosovës sovrane në mbrojtje të interesit të vet, por është i argumentuar pse e bëjmë këtë, kryesisht është mosrespektimi i marrëdhënieve tregtare Kosovë-Serbi, nga Serbia duke vu bllokadë tarifore për produktet tona, shtuar këtu edhe agresivitetin ndaj Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërkohë, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj tha se masa prej 100 për qind nuk do të hiqet deri në njohjen nga Serbia. I pari i ekzekutivit kërkoi qëndrueshmëri edhe nga institucionet e Kosovës, si dhe kërkoi nga bizneset vendore që të jenë korrekte dhe të mos ketë rritje enorme të çmimeve.