Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj ka ndarë me ndjekësit e tij në Facebook rastin që e ka pasur sot në një televizion të Londrës CNBC, duke thënë se aty shfrytëzoi mundësinë që të flasë për rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës.
“Sot pata rastin që në studiot e rrjetit televiziv CNBC në Londër, përballë Hadley Gamble dhe Joumanna Bercetche në një intervistë direkte për audiencën ndërkombëtare, të ndajë vizionin e Kosovës për rrugëtimin euro-atlantik dhe të ftojë investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë”, ka shkruar kryeministri.
Në këtë intervistë, kryeministri ka folur edhe për partneritetin që Kosova e ka me Britaninë e Madhe, sikurse që e ka edhe me ShBA-në.
“Ne kemi partneritet direkt dhe të besueshëm me Britaninë e Madhe, siç e kemi me ShBA-të dhe vendet tjera Evropiane dhe po punojmë që kjo marrëdhënie të avancohet më shumë, në fushën politike dhe ekonomike”, ka thënë kryeministri./Insjaderi.com