Haradinaj: I papjekur vendimi për ambasadorët, do të ndikojë negativisht në diplomacinë kosovare

Haradinaj: I papjekur vendimi për ambasadorët, do të ndikojë negativisht në diplomacinë kosovare

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar si të paprecedent vendimin e Presidentes Vjosa Osmani, për shkarkimin e 12 ambasadorëve, transmeton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se ky vendim do të ketë ndikime negative në politikën e jashtme të Kosovës.

“Vendimi i sotëm i presidentes së Kosovës, me nismën e Ministres së Jashtme, për lirimin nga detyra të një numri ambasadorësh të Kosovës është i paprecedent dhe i papjekur politikisht që do të ketë ndikime negative në politikën e jashtme të Kosovës”, ka shkruar ai.

Sipas Haradinajt, shkarkimi i paparalajmëruar i këtyre ambasadorëve, e dobëson pozitën e shtetit dhe e dëmton angazhimin në ndërtimin e partneritetit serioz me shtetet pritëse.

Ai ka shtuar se asnjëri prej ambasadorëve të dërguar sipas “çelësit politik” nuk ka shërbyer në emër të partisë apo të individëve, por kanë kryer me nder detyrën në shërbim të shtetit të Kosovës, avancimit të pozitës së tij dhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës e bashkatdhetarëve.

“Kthimi i ambasadorëve të Kosovës para kohe dhe në mënyrë të fshehtë, tregon mbi politikat pa vizion të Qeverisë së tashme dhe dëshmon përpjekjet për t’i përvetësuar institucionet e Kosovës në dëm të shtetit dhe të qytetarëve të tij. Ndryshimi nuk mund të vijë me përpjekjet për rrënim të vendit dhe të partneritetit të tij me shtetet e tjera të ndërtuar me mund”, ka shkruar më tej Haradinaj. /Insajderi.com