Haradinaj i tregon ambasadorit amerikan në Gjermani se është kundër Thaçit

Haradinaj i tregon ambasadorit amerikan në Gjermani se është kundër Thaçit

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj i cili është duke qëndruar në Berlin për dallim nga presidenti i vendit i cili është duke zhvilluar takime me liderët e Bashkimit Evropian, ai ka bërë të ditur se është takuar me Richard Grenell, Ambasadorin e Amerikës në Gjermani.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se gjatë takimit me ambasadorin Grenell ka biseduar për korrigjim të kufijve ku ka theksuar se qeveria kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, ide kjo e presidentit Hashim Thaçi, shkruan Gazeta Insajderi.

“Në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin, sot zhvillova një takim me Ambasadorin e ShBA-ve në Gjermani Richard Grenell, të cilit i shpreha përkushtimin e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë, për konsolidimin e ekipit negociator të vendit dhe për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, bazuar në ligjet dhe kushtetutën e vendit dhe se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshje që rezulton me njohje reciproke”, ka shkruar Haradinaj.

“Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opcion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka thënë se “Ambasadorit Grenell i tregova për progresin e arritur në vend në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët tanë dhe me aspiratat tona për rrugën euro-atlantike”.

Në Samitin e Berlinit është janë duke marr pjesë përfaqësues nga Kosova, Serbia dhe Shqipëria. /Insajderi.com