Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria që ta dërgojë në votim Ligjin për Pagat.
Këtë Haradinaj e ka thënë përmes një postimi në Facebook, teksa ka folur për siç thotë ai “gjendjen e rëndë sociale”.
“Kosova po hyn në krizë të thellë sociale. Qytetarët kanë filluar të përballen me mbijetesë. Rritja enorme e çmimeve ka goditur çdo shtresë të popullsisë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka akuzuar ekzekutivin që “ka lënë në pozitë të vështirë kateogritë të cilat kanë bartur barrën kryesore gjatë pandemisë”, duke mbështetur protestën e punëtorëve shëndetësorë e mbajtur të hënën, në Prishtinë.
“Për krejt këto arsye, sot jam me punëtorët shëndetësorë që protestojnë për të drejtat e tyre”.
“Qeveria duhet të kthjellohet urgjentisht dhe të konsiderojë të gjitha masat e nevojshme që e lehtësojnë përballimin e kësaj situate të rëndë”, tha ai. /Insajderi.com