Haradinaj: Koncepti 100% shtet garanton trajnimin e 10 mijë profesionistëve për IT dhe programim

Haradinaj: Koncepti 100% shtet garanton trajnimin e 10 mijë profesionistëve për IT dhe programim

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj, së bashku me partnerin e koalicionit Shpend Ahmeti, kanë vizituar kompaninë gjermane IQ LINK në Lipjan.

Haradinaj ka thënë se bazuar në aftësitë, punën, dhe intelegjencën e të rinjve tanë, sukseset e kësaj kompanie kanë për themel vizionin dhe orientimin tonë strategjik me Gjermaninë.

“Krenar që bashkë me Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, të shohim në praktikë investimet dhe punën e kompanisë prestigjioze gjermane IQ LINK, e cila ka operuar pa asnjë pengesë dhe duke u ndihmuar në vazhdimësi nga institucionet tona dhe në veçanti nga Komuna e Prishtinës. IQ LINK, me mbi 1 mijë të punësuar, me Drejtor Menaxhues dhe Themelues – Jens Reichenbach, tashmë është shndërruar në ambasador promovimi për vendin dhe për faktin që të bërit biznes në Kosovë, është veprim i duhur për investitorët e huaj. E bazuar tërësisht në aftësitë, punën, dhe intelegjencën e të rinjve tanë, sukseset e kësaj kompanie kanë për themel vizionin dhe orientimin tonë strategjik me shtetet mike, siç është Gjermania dhe sot po ofrojnë shërbime për klientë dhe për shumë kompani ndërkombëtare”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se koncepti 100% shtet garanton investim direkt në trajnimin e 10 mijë profesionistëve për IT dhe programim.

“ Ne kemi krijuar Parkun Inovativ dhe Trajnues në Prizren, që jo vetëm do të shërbejë si oazë ekonomike dhe e punësimit, por do të jetë edhe nyje rajonale e teknologjisë. Duke e parë si tejet të nevojshme këtë fushë, gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës, do të aplikohet edhe lënda e kodimit në kurrikulën e gjimnazeve matematikore/natyrore dhe Koncepti 100% shtet garanton investim direkt në trajnimin e 10 mijë profesionistëve për IT dhe programim. Për jetësimin e vizionit tonë, Lipjani është rreshtuar me numrin e fitores së përbashkët, 119, fuqishëm për 100% Kosovë”, ka përfunduar Haradinaj.