Haradinaj kritikoi Ministrinë e NISMA-s për mosrespektim të orarit, nisin procedurat për masa

Haradinaj kritikoi Ministrinë e NISMA-s për mosrespektim të orarit, nisin procedurat për masa

Kryeministri Ramush Haradinaj nëpërmjet një letre zyrtare ua ka tërhequr vërejtjen ministrave, të emëruarve politik dhe shërbyesve civil se nuk po e zbatojnë orarin e punës.

Në letrën që e ka siguruar Reporteri.net Haradinaj ua ka tërhequr vërejtjen ministrave për mungesën e stafit në orar të punës, duke thënë se gjendja duhet të korrigjohet dhe të merren të gjitha masat e parapara me ligj.

“Ju ftoj që në bashkëpunim me Sekretarët përkatës të zbatoni një mbikëqyrje të drejtpërdrejtë dhe më efektive të të gjithë zyrtarëve në raport me orarin e punës dhe të ndërmerrni masa ndaj atyre që nuk paraqiten në punë sipas përgjegjësive dhe orarit. “, ka kërkuar Haradinaj.

Në dokumentet e siguruara nga Reporteri.net shihet se kritika i është drejtuar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që drejtohet nga ministri Skender Reçica që vije nga partia NISMA për Kosovën.

Në dokumente shihet se si sekretar i përgjithshëm i MPMS-së, Izedin Bytyqi, pas kritikave të marra nga kryeministri Haradinaj i shkruan Feim Osmanit që është udhëheqës i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme të cilit i shkruan se që ta obligon personelin dhe ta nxjerr raportin e vijueshmërisë për muajin qershor dhe pastaj për muajt në vijim për secilin Departamnet të kësaj ministrie deri në datën 5 të muajit vijues (korrik) dhe rastet që identifikohen me vonesa pas orës 08:15 të trajtohen.

Më tej Bytyqi i thotë Osmanit ta monitoron orarin e punës nga ora 08:00-16:00.

“Kjo punë duhet me u rregullu gjithqysh se deri tash i kam mshel sytë, por kjo tash ka kalu në arrogance edhe mungesë minimale respekti për institucionin” i shkruan Bytyqi udhëheqësit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme të MPMS.

Në një email tjetër, sekretari Bytyqi i shkruan Feim Osmanit dhe dy punonjësve tjerë të kësaj ministrie Ruhan Kadriu dhe Gjyltene Berishës që në cilësi të komisionit monitories duke filluar nga data 26 qershor të ushtrojnë kontrolle nëpër Departamentet e MPMS, zyrat komunale dhe regjionale si dhe institucionet në varësi të MPMS, siç janë Shtëpia e Pleçve, Instituti Special në Shtime, Strehimorja shtetërore në Lipjan, Shtëpia e Fëmijëve etj, lidhur me respektimin e orarit të punës nga shërbyesit civil të Ministrisë dhe zyrtarët e tjerë duke përjashtuar stafin politik.

“Kjo me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve pas shkresës së kryeminsitrit i cili ka kërkuar që të merren veprime lidhur me respektimin e orarit të punës.
Raportet e zyrtarëve që nuk hasen në vendet e punës gjatë orarit të punës duhet t’i dorëzohen Divizionit të Personelit të cilët pastaj veprojnë konform legjislacionit.
Ju lutem që të keni parasysh që në rast të pushimit vjetor të ndonjërit prej jus hose të rasteve të tjera të mungesave në punë të lajmëroni paraprakisht me qëllim të zëvendësimit me anëtarë tjerë në mënyrë që ky komision të jetë funksional çdo here”, shkruan sekretari Bytyqi. /Reporteri.net/.

Mbetet të shihet nëse kërkesa e kryeministrit do të respektohet apo do të haset në vesh të shurdhër dhe punonjësit e sektorit publik do të vazhdojnë avazin e vjetër duke mos respektuar orarin e punës.