Haradinaj – Kurtit: A po e pret gazin rus që s’po lejoni ardhjen e gazit amerikan?

Haradinaj – Kurtit: A po e pret gazin rus që s’po lejoni ardhjen e gazit amerikan?

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti për qasjen e saj ndaj ekonomisë gjatë pandemisë, njofton Insajderi.com.

Në një konferecë të thirrur për media, Haradinaj thotë se po shqetësohen se ekonomia e Kosovës po merr goditje të rëndë dhe po shkon në drejtim negative, derisa ka përmendur edhe pikën për gazsjellës në Marrëveshjen e Ëashingtonit, duke thënë se kryeministri Kurti po e vonon qëllimisht.

Lidhur me këtë çështje, Haradinaj ka pyetur Kurtin “pse jeni kundër gazit amerikan, a po e presin gazin rus sikurse një pjesë e Evropës?”.

“Kur kam qenë kryetar qeverie, Vetëvendosje dhe Haki Abazi atëherë kanë qenë mjaft të zëshëm për energjinë me qymyr në emër të mbrojtjes së ambientit. Amerika i ofron Kosovës diversitet energjetik, pra na bie gazin amerikan prej Greqisë dhe na ofron 200 milionë pare dhe Kosova po e dështon këtë projekt me vonesa. Tani ua bëj pyetjen atyre që ishin kundër qymyrit. Pse janë kundër gazit amerikan, a po e presin gazin rus, sikurse një pjesë e Europës? Pra, pyetja për Albinin dhe për tjerët a po e pritni gazin rus dhe për këtë po i dështoni 200 milionët e MCC dhe s’po e lejoni ardhjen e gazit amerikan?”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se kanë bërë edhe disa propozime se ku mund të shfrytëzohen këto para për rimëkëmbjen e ekonomisë. /Insajderi.com