Haradinaj-Kurtit: Politizimi dhe njollosja e projektit për gazin amerikan është skandaloz

Haradinaj-Kurtit: Politizimi dhe njollosja e projektit për gazin amerikan është skandaloz

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka thënë kryeministrit, Albin Kurti, se politizimi dhe njollosja e projektit rreth gazit amerikan është skandaloz, përcjell Shqip.com.

Në një letër që i ka dërguar Kurtit, Haradinaj ka kërkuar që ky i fundit të distancohet nga deklaratat e zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, i cili tha se Projekti i Gazit është projekt rus.

Letra e Haradinajt drejtuar Kurtit.

“Tani, konsideroj se zhvillimet që kanë pasuar me Qeverinë Kurti, politizimi dhe njollosja e projektit të Gazit, janë skandaloze, shumë të dëmshme dhe rrezikojnë zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme ekonomike dhe gjeopolitike për vendin si dhe partneritetin me SHBA-në.

Nga ju Kryeministër pres distancimin publik dhe thirrje në përgjegjësi të Zëvendëskryeministrit Bislimi, në të kundertën e vlerësoj që qendrimet e Zëvendëskryeministrit dhe të Kryeministrit janë në pajtushmëri të plotë. Prandaj, në keto rrethana kërkesën për një takim konsultativ e konsideroj si të panevojshëm”, thuhet ndër tjerash në letrën e dërguar nga Haradinaj.

Tutje, Haradinaj u shpreh se me këto deklarata, Bislimi ka mohuar veprimet e qeverive të kaluara dhe ka dezinormuar publikun.

Sipas tij, në kohën sa ai ishte kryeministër, është miratuar propozimi për të përfituar nga granti i Korporatës së Mijëvjeçarit dhe për të mbështetur zhvillimin e Programit Kompakt.

 

Ndryshe, Bislimi ka folur për ardhjen e gazit amerikan në Kosovë, ku sipas tij kjo marrëveshje nuk e sjell asnjë litër gaz nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nga Azerbajxhani dhe Rusia.

”Marrëveshja për gazin nuk e sjell asnjë një litër gaz nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I gjithë gazi është nga Azerbajxhani dhe Rusia, është budallakët të thuhet se gazi që është nga Greqia dhe përmes Maqedonisë së Veriut është nga Amerika”, kishte thënë ai.

Kurse, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është shprehur se nuk ka refuzim nga Kosova për çështjen e projektit për gazsjellësin nga SHBA-të.

Osmani tha se sa i përket aspektit gjeopolitik, Kosova nuk ka rrugëdalje tjetër, përpos që të bashkëpunojë me SHBA-të për këtë çështje, por që për këtë tha se ka studim nga ekspertët dhe ministritë përkatëse.