Haradinaj: Liberalizimi i vizave ndodh sivjet

Haradinaj: Liberalizimi i vizave ndodh sivjet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se beson që deri në fund të këtij viti Kosova e fiton të drejtën e liberalizimit të vizave, si dhe beson që deri në fund të vitit vendi mund të jetë aplikues për statusin kandidat të BE-së.

Kreu i Qeverisë këto komente i ka bërë gjatë konferencës “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformimit, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE” organizuar nga Grupi për Dokumentime dhe Hulumtime.

Haradinaj tha se është e vështir të flas për 10 vitet e ardhshme të Kosovës, por që ai potencoj se është e qartë përcaktimi euroatlantik i vendit, pasi që synohet integrimin në BE dhe dëshirojnë që vendi t’i takojë aleancës së NATO-së.

“Po në fund të këtij viti besoj Kosova e fiton një të drejtë që është liberalizimi i vizave, besoj në fund të këtij viti, në fillim të vitit që vjen mund të jemi aplikues për statusin kandidat të BE-së. Deri në fund të këtij viti mund të ndodhin edhe avancime të mëdha në arritjen e një marrëveshje me Serbinë, pra mund të ndodhin. Njëkohësisht proceset tjera do të ishin të një dimensioni tjetër sepse sikur të arrihej kjo marrëveshje që është shumë sfiduese besoj, sfiduese jo për shkak të kompromiseve, por sfiduese sepse kërkon mobilizim prej të gjithëve. Nuk e di a është ende Uashingtoni, Brukseli të vendosur kjo me ndodh në afat kohor. Atëherë perspektiva e Kosovës do të ishte e zakonshme do t’i takonim botës së zakonshme si të gjitha vendet tjera ku gjithë kohën do të ishim duke i matur reformat në përputhje me procesin e anëtarësimit në Be”, tha kryeministri, raporton KP.

Haradinaj ka folur edhe sa i përket asaj se si mund të tejkalohen problemet në kontekstin e pozicionimit të Kosovës në agjendën rajonale evropiane, ku ka deklaruar se BE-ja nuk është aq e vendosur në qasjen e saj ndaj kësaj pjese të Evropës.

“BE-ja nuk është aq e vendosur në qasjen e vet ndaj kësaj pjese të Evropës, BE-ja shkon kah pesha e rëndësisë dhe aktualisht i kanë dhënë shumë më shumë peshë, më shumë rëndësi Serbisë edhe për shkak të animit që bënë Serbia drejt Rusisë, por edhe për arsye të tjera. Hetohet njëfarë mungese e vullnetit për pjesën e mbetur, pra dikur ishin Serbia e Mali e Zi, mendoj se ata e kanë në një farë mënyre ajo që tha kryeministri bullgar se nëse një vend e lajmë pa hy në BE është rrezik për BE-në dhe veç ajo vlen. Si zinxhiri që është më i fortë në hallkën e vetë më të dobët, pra BE-ja është e fortë aq sa është e fortë hallka e vet më e dobët. E ne mendojmë që hallka më e dobët e BE-së pikërisht është Ballkani Perëndimor, 6-ja edhe në këtë rast fatkeqësisht është përreth nesh, këtu përreth vendit tonë Kosovës. Shpresoj që kjo do të qartësohet në etapat që vijnë, një ndihmesë të madhe në qartësim e japim edhe ne duke kryer punët e shtëpisë”, tha Haradinaj.

Ndryshe, konferenca “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformimit, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE” ka filluar qysh në mëngjes ku pjesëmarrës kanë qenë presidenti i vendit Hashim Thaçi, Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad e shumë të tjerë.