Haradinaj lidh sulmet në Bruksel me protestën e anuluar të opozitës

Haradinaj lidh sulmet në Bruksel me protestën e anuluar të opozitës

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë dhënë Kosova Press ka thënë se një nga arsyet e anulimit të protestës së 26 marsit kanë qenë edhe sulmet në Bruksel.

Përpos festës së Pashkëve, Haradinaj ka thënë se si opozitë kanë anuluar protestën për shkak se kanë dashur ta lënë Kosovën jashtë hartës së lajmeve të botës.

“Janë disa arsye dhe të natyrave tjera. Ne e kemi ditur se janë Pashkët, sepse dikush tha a e kanë ditur paraprakisht këta se janë Pashkët, e kemi ditur, por ne nuk e kemi ditur se do të ndodhin shpërthime në Bruksel, do të ndodhin probleme tjera. Jo që e kemi ndier ne një kërcënim por kemi menduar që është më e drejtë që Kosovën me lënë jashtë hartës së lajmeve nëpër mediat botërore, që janë në prag të Pashkëve, me ndonjë lajm që mund të mos ishte i mirë”, ka thënë Haradinaj për KP.

Haradinaj nuk ka sqaruar më shumë në lidhje me atë se çfarë kanë të bëjnë sulmet në Bruksel që morën dhjetëra jetë si pasojë e sulmeve terroriste, përgjegjësinë për të cilën i mori ISIS.

Blloku opozitar i përbërë nga tri partitë politike, VV, AAK dhe NISMA së fundmi është përballur edhe me një mungesë të konsolidimit të brendshëm sa i përket hartimit të një liste të përbashkët politike, duke ngjallur debat rreth mundësisë së ndarjes së bllokut opozitar.