fbpx

Haradinaj: Lirimi im mund të mos ndodhë as nesër

Haradinaj: Lirimi im mund të mos ndodhë as nesër

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka deklaruara se teorikisht as nesër Gjykata në Colmar mund të mos marrë vendim për lirimin e tij. Mëgjithëkëtë ai ka porositur mbështetësit që të jenë të qetë, meqenëse e drejta është plotësisht në anën e tij.

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të enjten do të përballet për të tretën herë radhazi me gjykatën Franceze në Colmar, nën akuzat për krime lufte.

Ai në një intervistë dhënë për Express të mërkurën, duke folur për seancën e nesërme, e pranoi se ndoshta lirimi i tij nuk do të ndodhë as nesër.

“Nuk ka bazë ligjore se është përsëritje e akuzave që kanë ekzistuar para Tribunalit të Hagës. Pra nesër kemi ballafaqimin. Ekziston mundësia teorike për vendim edhe nesër, por pritet që vendimi të merret në ditët në vijim, pra jo nesër”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK’së, i cili po mbahet në Francë që nga 4 janari, kur është arrestuar sipas një fletarresti të Serbisë, fton qytetarët dhe ata që besojnë në të që të mos shqetësohen pasi thotë se beson në të drejtën e tij. Ndërkaq, ai është shprehur i qartë se nuk e njeh juridiksionin serb mbi të.

“Besoj në të drejtën time e para që jam drejtë ashtu siç kam besuar gjithnjë dhe kemi zbatuar në radhë të parë atë që është obligim njerëzor, pra mbrojtjen nga rreziku që na është kanosur në atë kohë nga regjimi i Millosheviqit”.

“Liria është e drejtë universale. E kemi fituar lirinë, e kemi fituar shtetin, pra i besoj ligjit i besoj drejtësisë, asaj të Kosovës, i kam  besuar asaj ndërkombëtare por nuk e njoh juridiksionin serb mbi mua, pra ky është qëndrimi im i përhershëm. Në pamundësi të ketë vetëm një epilog, dmth ndërprerjen e këtyre procedurave që janë krejtësisht politike pra ky do të jetë epilogu dhe kthimi im në Kosovë”, tha Haradinaj.