Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se sot ka mbajtur mbledhjen konstituive të Kryesisë së re, e dalë nga zgjedhjet e brendshme në Parti, të përfunduara më 25 korrik 2018.
“Ndër anëtarët e sapozgjedhur të AAK-së, rreth 40 për qind janë të zgjedhur për të parën herë. Poashtu rreth 40 për qind janë gra”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga AAK
Kryetari i AAK-së, njëherësh Kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se synim i partisë është rritja e mbështetjes për AAK-në, mbështetja e qeverisë në nivelin qendror dhe atë lokal, si dhe shtrirja e strukturave të Partisë në të gjitha nivelet dhe zonat.
“Në këtë mbledhje poashtu u vlerësua kontributi i Kryesisë së vjetër, e cila arriti që AAK-në ta shndërrojë në parti të Kryeministrit dhe Parti që sot qeverisë me 7 komuna dhe bashkëqeverisë në 10 komuna të tjera, duke u bërë kështu ndër partitë më serioze në vend”, thuhet në njoftimin e AAK’së.
Strukturat e reja të AAK-së, bën të ditur njoftimi, “u zotuan të punojnë në përmbushjen e agjendave shtetërore dhe në rritjen e vazhdueshme të AAK-së si një vlerë e pakontestueshme e spektrit politik të Kosovës. Kryesia e re e AAK-së ka mandat katërvjeçar”.