Kur Ramush Haradinaj u ndalua verën e 2015-s në Slloveni vetëm për dy ditë, në Prishtinë pësuan edhe bizneset sllovene. Dy vite pas, Haradinaj po hynë në ditën e pestë të ndalimit në Francë, me të një njëjtin urdhër-arrest.
Mbajtja e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga autoritet franceze bazuara në një urdhër-arrest të Serbisë të para 11 viteve, do të hyjë në ditën e pestë, tri ditë më shumë sesa kishte zgjatur ndalimi i tij në Slloveni para dy viteve.
Arrestimi i tij në Slloveni ishte bërë me po të njëjtën urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it në vitin 2004.
“Isha duke u kthyer nga Berlini dhe kam vërejtur një vonesë në procedura. Pastaj më njoftuan se për mua posedojnë një fletarrest që nga viti 2004 dhe se duhet të shkoj me ta”, kishte rrëfyer Haradinaj ditën e ndalimit.
Ish-kryeministri i Kosovës, që është shpallur i pafajshëm nga dy gjykime në Tribunalin e Hagës, për krime lufte në Kosovë, po mbahet i ndaluar nga autoritetet franceze, të cilat po presin një kërkesë zyrtare nga Serbia për ekstradim.
Ai nuk ka bërë asnjë paraqitje publike qysh prej kohës së arrestimit të tij në aeroportin e Baselit.
Haradinaj sipas këtij urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Serbi, akuzohet për torturim të serbëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve të tjera pakicë gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë.
Kosova nuk është pranuar ende në organizatën INTERPOL dhe në këtë mënyrë nuk mund të ketë qasje në listën e të kërkuarave nga kjo organizatë.
Vet kryeministri Isa Mustafa e kishte pranuar një fakt të tillë, para deputetëve, në një seancë të jashtëzakonshme për arrestimin e komandantit të policisë në veri, Nehat Thaqi. Ai ishte ndaluar me urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia, përmes INTERPOL.
E, Haradinaj është përballur tash dy herë me urdhër-arrestet e Serbisë.
Por për dallim nga qershori i vitit 2015, kur Haradinaj ishte ndaluar nga autoritetet sllovene dhe ndalimi kishte zgjatur vetëm dy ditë, tek autoritetet franceze Haradinaj ka hyrë në ditën e tij të pestë të ndalimit.
Në Slloveni, Haradinaj ishte arrestuar me 17 qershor dhe ishte liruar me 19 qershor të vitit 2015.
Në Francë, Haradinaj u ndalua pasditen e 4 janarit dhe 9 janari e gjen atë në pritje të një vendimi të gjykatës.
Serbia në anën tjetër nëpërmjet kryeministrit Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se dot ë kërkojë nga INTERPOL-i ekstradimin e Haradinajt në Serbi, teksa shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë e Metohij në Qeverinë e Serbisë, ka deklaruar se Serbia dëshiron ta ketë Haradinajn para drejtësisë, përkundër faktit se ai ka dalë dy herë i pafajshëm nga Tribunali i Hagës.
“Ia rikujtoj deputetes së Parlamentit Evropian se procedurat kundër Haradinajt para Tribunalit të Hagës nuk kanë përfunduar pasi që janë vrarë dëshmitarët”, ka thënë Gjuriq.