Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 22 vjetorin e masakrës në Vushtrri, për të cilin tha se aty u tentua të zhbëhej qenia shqiptare.
Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se njëzetedy vjet më parë dhjetëra shqiptarë u vranë e u masakruan.
Haradinaj tutje është shprehur se Serbia edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera.
“Në Vushtrri u tentua të zhbëhej qenia shqiptare! Njëzetedy vjet më parë, dhjetëra u vranë e u masakruan e shumë të tjerë shpëtuan me plagë, të cilat i shëroi koha. Por, plagët e shpirtit, kujtimi për ata që na i rrëmbyen, jetojnë përgjithmonë.
E vështirë ishte rruga jonë deri në liri. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, e ne vazhdojmë betejën tonë për të vërtetën. Kosova nuk harron! Lavdi të rënëve për liri”, ka shkruar Haradinaj në Facebook./Insajderi.com